Biografia e shejhut Muhamed Eman el Xhamij

Nga - May 17, 2010

Biografia e shejhut Muhamed Eman el Xhamij

Ai quhet Muhamed Eman bin Alij Xhamij, me nofkën Ebu Muhamed. Ai lindi në Etiopi, në vitin 1349 h, në krahinën Herar, në fshatin Tugatab.
Shejhu u rrit në fshatin e lindjes ku dhe mësoi Kuranin. Pasiqë e përfundoi memorizimin e tij, filloi të mësonte në librat e fikhut sipas medhhebit të imam Shafiut. Gjithashtu mësoi gjuhën arabe në fshatin e tij tek shejhu Muhamed Emin el Herarij. Më pas e braktisi fshatin e tij dhe kërkoi diturinë në zona të tjera, ku u njoh me shokun, kolegun dhe mikun e tij Abdulkerimin, me të cilin më pas emigruan në Arabinë Saudite. Ata studiuan tek shejhu Musa librin Nedhmuz-zebed të Ibn Raslanit, më pas librin el Minhaxh tek shejhu Ebadir,si dhe disa lëndë të tjera. Dëshira e zjarrtë për të vizituar vendin e shenjtë, Meken, për të kryer haxhin dhe për të nxënë dituri, i bëri ata që të dalin nga Etiopia drejt Somalisë, nëpërmjet detit kaluan në Aden( qytet në Jemen), rrugë gjatë së cilës u përballën me vështirësi dhe rreziqe të shumta. Më pas në këmbë udhëtuan drejt qytetit Hudejda ( në Jemen), ku agjëruan muajin e Ramazanit dhe më pas u drejtuan për në Arabinë Saudite, duke kaluar nëpër qytetin Samitah, Ebu Arish, dhe më pas morën leje për të hyrë në Meke si haxhinj. I gjithë ky udhëtim është zhvilluar në këmbë. Në Jemen, disa njerëz ua kishin tërhequr vërejtjen të ishin të kujdesshëm mos të ndikoheshin nga thirrja selefije që ata e emërtonin: uehabijeh.
Në Arabinë Saudite, pasiqë kreu haxhin (viti 1369 h) shejhu u angazhua me kërkimin e diturisë në xhaminë e shenjtë të Mekes në tubimet e ndryshme të shumta të diturisë që organizoheshin në të.
Aty përfitoi dituri nga shujuhët e mëposhtëm: Abdurrazak Hamzah, Abdulhak el Hashimij, Muhamed Abdullah es-Sumalij, etj. Gjatë qëndrimit në Meke u njoh me shjehun Abdulaziz bin Baz duke qenë bashkëshoqëruesi i tij në udhëtim drejt Rijadit me rastin e hapjes së Institutit të Diturisë, në fillimet e viteve 70 h. Ai gjatë studimeve atje, ishte koleg me shejhun Abdulmuhsin el Abad dhe shejhun Alij bin Muhene el Kadij. Gjithashtu nuk iu nda mexhliseve të diturisë në Rijad, që organizoheshin nëpër xhamia. Ai u ndikua së tepërmi nga muftiu i nderuar, el alameh, Muhamed bin Ibrahim Ali shejh. Për njëfarë kohe të konsiderueshme ishte i pandashëm nga mësimet e shejhut Abdurrahman el Ifrikij,dhe shejhut Abdulaziz bin Baz, duke përfituar nga ky i fundit dituri të madhe dhe morale të larta. Gjatë qëndrimit në Rijad mori dituri tek shejhu Muhamed Emin esh-Shinkitij dhe tek shejhu Hamad el Ensarij. Në mënyrë të vecantë ishte i ndikuar dhe nga shejh Abdurrazak Afifi, saqë i përngjante në mënyrën e mësimdhënies, po ashtu përfitoi dhe u ndikua nga shejhu Abdurrahman bin Nasir es-Sadij, megjithëse jo nëpërmjet mësimit direkt tek ai por nëpërmjet korrespondencës së vazhdueshme mes tyre. Ka studiuar edhe tek shejhu Muhamed Halil Herras dhe Abdullah Karauij.
Në aspektin e studimeve zyrtare, kreu të mesmen në Institutin e Diturisë në Rijad, më pas fakultetin e sheriatit në vitin 1380 h, më pas magjistraturën në universitetin e Benxhabit (Pakistan), më pas mori doktoraturën në Darul Ulum në Kajro.
Pozita e tij në rradhët e njerëzve të dijes dhe lavdërimet e dijetarëve për të:
Ai gëzonte respekt dhe vlerësim në rradhët e njerëzve të dijes, duke merituar vetëm fjalë të mira dhe vlerësime pozitive superlative. Niveli i besueshmërisë në diturinë dhe akiden e tij ishte i lartë që në kohën kur ishte nxënës në Rijad, duke mos kaluar pa u vënë re nga shejhu i tij Abdulaziz bin Baz, në përkushtimin dhe sakrificën e tij, i cili e propozoi atë tek shejhu Muhamed bin Ibrahim që ta emëronte mësues në Institutin e Samitas në krahinën e Xhazanit. Më pas kur u hap Universiteti Islamik në Medine, u zgjodh nga shejhu Abdulaziz bin Bazi, për të qenë profesor aty, dhe sic dihet ky Universitet është themeluar për përhapjen e akides selefije, gjë që tregon për pozitën e shejhut dhe besueshmërinë që gëzonte në aspektin e akides dhe diturisë që posedonte. Fillimisht dha mësim në shkollën e mesme, më pas në Fakultetin e Sheriatit.
Thëniet e dijetarëve dhe vlerësimet e tyre rreth tij:
Muftiu, shejhu Abdulaziz bin Baz, në letrën e shkruar me nr 64 të datës 9/1/1418 h, shprehet në lidhje me shejh Muhamed Eman el Xhamij, duke thënë:
Ai është i mirë njohur tek unë për dituri ,vlera,akide të saktë, angazhim aktiv në davet dhe tërheqjen e vërejtjes nga bidatet apo devijimet. Allahu e faltë dhe e strehoftë në xhenetet e begata, ia përmirësoftë pasardhësit e tij dhe e lusim që të na bashkojë me të në vendbanimin e paqes, vërtetë Ai është Dëgjues, që i përgjigjet lutjes.
Shejhu Salih bin Feuzan al Feuzan në letrën e shkruar me datë 3/3/1418 h me titull: Shejhu Muhamed Eman sic e kam njohur, thotë:
Vërtetë, kërkuesit e diturisë dhe bartësit e diplomave të larta janë të shumtë, por ata prej të cilëve përfitohet realisht, janë të pakët dhe shejh Muhamed Eman el Xhamij bën pjesë tek ai numër i rrallë dijetarësh të cilët e kanë sakrifikuar veten duke vënë diturinë dhe mundin e tyre në shërbim të dobisë së muslimanëve dhe orientimit të tyre. Ai e bënte këtë nëpërmjet mësimdhënies në Universitetin Islamik, në Xhaminë Profetike, si dhe në udhëtimet e shumta të tij në vende të ndryshme brenda dhe jashtë mbretërisë, ku organizoheshin ligjërata dhe kurse fetare, duke thërritur në teuhidin e pastër, duke këshilluar të rinjtë që t`i përmbahen menhexhit të selefëve, duke ua tërhequr vërejtjen nga parimet e gabuara dhe ideologjitë e devijuara. Kush nuk ka arritur ta njohë personalisht, le ta njohë nëpërmjet librave të tij të dobishëm dhe kasetave të shumta të cilat shprehin vetëm një pjesë nga dituria e shumtë që ai posedonte.
Shejhu el alameh Abdulmuhsin elAbad ka thënë:
Unë e kam njohur shejhun Muhamed Eman el Xhamij që kur ishte nxënës në Rijad, më pas profesor në Universitetin Islamik në Medine. E kam njohur për besim të pastër dhe drejtim të shëndoshë. Kishte një përkushtim të vecantë në sqarimin e akides së selefëve dhe tërheqjen e vërejtjes nga bidatet, gjë të cilën e bënte në mësimet, ligjëratat dhe shkrimet e tij. Allahu e faltë, e mëshiroftë dhe strehoftë në xhenetet e begata.
Shejhu Muhamed Abdul uehab el Bena ka thënë:
Ai ishte në nivelin më të kënaqshëm në aspektin moral, në akiden e saktë dhe mirësjellje me njerëzit. Allahu e faltë, e mëshiroftë dhe strehoftë në xhenetet e begata, ashtu sic e lusim që të na bashkojë me të, vëllezër përballë njëri tjetrit të ulur në frone.
Shejhu Muhamed bin Alij Thanij në letrën e shkruar me datë 4/1/ 1417 ka thënë:
Shkëlqesia e tij është dijetar selefij i cilësisë më të lartë, i dhënë me mish e me shpirt pas davetit, me një angazhim aktiv nëpërmjet ligjëratave nëpër xhamia apo simpoziumeve të ndryshme brenda dhe jashtë mbretërisë. Ai ka një sërë librash dhe shkrimesh në akide dhe fusha të tjera. Allahu e shpërbleftë me të mira dhe ia shtoftë shpërblimin në Ahiret.
Shejhu Umer Muhamed Felateh (Allahu e mëshiroftë) mësues në Xhaminë Profetike, në letrën e shkruar me datë 7/2/1417 h ka shprehur:
Ai ishte i ciltër në atë që thoshte, i dedikuar me përkushtim rrugës së ehlu sunetit, njeri me vullnet të fortë, thirrës tek Allahu me fjalët dhe veprat etij. E kishte gjuhën të ndershme, potent në sqarimet etij, zemërohej menjëherë nëse shkeleshin dispozitat fetare. Për atë më së miri flasin mësimet e dhëna në Xhaminë Profetike, shkrimet e shkruara prej tij dhe udhëtimet e shumta në vende të ndryshme, në të cilat unë kam qenë bashkëshoqërues me të dhe e vlerësoj si mik të mirë. Ai gjithashtu ishte shoqërues i shejhut el alameh Muhamed Emin esh-Shinkitij, duke qenë bashkëudhëtar i mirë dhe vërtetë një burrë i palëkundur nga e vërteta, që nuk i mbante anën njeriu, as nuk shtirej dhe as nuk polemizonte. Nëse kishte argument për atë që thoshte, e kumtonte atë, e nëse bindej për të kundërtën e mendimit të tij tërhiqej dhe i përmbahej të vërtetës, tamam ashtu sic duhet ë jetë sjellja e besimtarëve. Unë e kam Allahun dëshmitar se shejhu ka dhënë shumë në shërbim të fesë dhe në përhapjen e Sunetit. Ai u përball me lëndime të shumta dhe kurthe e intriga nga më të ndryshmet, por asgjë nga këto nuk e zmbrapsën atë deri në vdekje. Fjala e tij e fundit nga kjo dunja ishte Lailahe ilallah Muhamedun Rasulullah.
Disa nga librat që la pas:
1)Es-Sifatul ilahijeh fil kitabi ues-suneti en-nebeuijeh (Cilësitë e Allahut në Kuran dhe Sunet)
2)Eduan ala tarikid-daueti ilel islam( Hedhje dritë mbi rrugën e thirrjes në islam)
3)Mexhmua rasailil xhamij( Përmbledhje broshurash në fushën e akides dhe Sunetit)
4) el Muhadaratu ed-difaijeh anis-suneti el muhamedijeh ( Ligjërata mbrojtëse e Sunetit Profetik)
5)Hakikatu ed-dimukratijeh ue eneha lejset minel islam (Realiteti i demokracise dhe fakti që ajo nuk ka të bëjë me islamin)
6)Hakikatu esh-shura fil islam( Realiteti i konsultimit në islam)
7) el Akidetul islamijeh ue tarijhuha (Akideja dhe historiku i saj)

Disa nga nxënësit e tij më të njohur:
Një njeri me këtë pozitë dhe me një mund të madh në fushën e davetit, brenda territorit të Arabisë Saudite dhe jashtë saj, padyshim që kishte një numër të madh nxënësish që nuk mund të përmenden të gjithë, por nga më të njohurit e kohës përmendim:
1)Shejhu muhadithi el alameh Rabia bin Hadij el Medkhalij
2) Shejhu el alameh Bekr Ebu Zejd
3) Shejhu el alameh Zejd bin Hadij el Medkhalij
4) Shejhu Alij bin Nasir el Fakihu (Profesor në Universitetin Islamik dhe mësues në xhaminë profetike)

5) Muhamed Hamud el Uailij (Profesor në Universitetin Islamik dhe mësues në xhaminë profetike)

6) Shejhu muhadith AbdulKadir es-Sindij
7) Shejhu Salih bin Sad es-Suhejmij (Profesor në Universitetin Islamik dhe mësues në xhaminë profetike)

8)Shejhu Ibrahim er-Ruhejlij (Profesor në Universitetin Islamik dhe mësues në xhaminë profetike)
9) Shejhu Salih er-Rifaij
10) Shejhu Felah Ismaili (Profesor në Universitetin e Kuvajtit)
11) Shejhu Felah bin Thanij (Profesor në Universitetin e Kuvajtit)

Disa nga cilësitë më të spikatura në moralin e tij:
a) Ishte këshillues i sinqertë, duke sakrifikuar jetën e tij në përhapjen dhe sqarimin e akides selefije, nëpërmjet librave, mësimdhënies, ligjëratave të ndryshme dhe kundërpërgjigjeve ndaj atyre që gabojnë, gjithmonë duke qenë i dalluar për drejtësinë e tij në kundërpërgjigje, larg fanatizmit dhe tekave.
b) Njihej për përzierjen e tij të pakët me njerëzit,përvecse në të mira, ai e ruante kohën dhe jetën e tij, dilte për në punë, kthehej në shtëpi, dilte për në xhaminë profetike për të dhënë mësim pas ikindie ose pas akshami ose pas jacie ose pas sabahu. E gjithë kjo vazhdoi deri në shtratin e vdekjes.
c) Ndershmëria dhe pastërtia e gjuhës së tij. Nuk e kishte zakon që të ofendonte apo të përgojonte dhe as nuk lejonte që dikush të përgojohej në praninë e tij dhe as nuk lejonte që të përmenden në praninë e tij të metat e të tjerëve dhe të transmetohen fjalë. Nëse i thuhej se dikush kishte rënë në gabim atëherë ai kërkonte kasetën ose librin ku ndodhej fjala e pretenduar , ashtuqë ta lexojë ose dëgjojë, e nëse bindej që aty ka gabim ndërmerrte mënyrën e duhur për të këshilluar.
d) Urtësia dhe falja e tij. Ai sa herë që përballej me lëndime, intriga, kurthe, dhe sprova, përgjigjej me urtësi dhe falje. Nganjëherë i vinte ndonjë nga ata që e ofendonin , e përbaltnin dhe shpifnin për të, duke i kërkuar falje dhe shejhu i përgjigjej: Shpresoj që askush mos të hyjë në zjarr për shkakun tim. Ai ua bënte hallall të gjithëve dhe thoshte: Nuk është e nevojshme që të vijnë tek unë të më kërkojnë falje sepse unë ua kam bërë hallall të gjithëve, madje kërkonte nga njerëzit që ta komunikonin këtë nga ai tek të gjithë.
e) Ai përkujdesej dhe interesohej për nxënësite tij, duke mos mbaruar kontakti i tij me ta me mbarimine mësimit, por merrte pjesë në ceremonitë e tyre, pyeste rreth gjendjes së tyre, përpiqej të këshillonte në shërimin e problemeve familjare të tyre. Ai shpenzonte pasurinë e tij për ta dhe shfrytëzonte personalitetin e tij për të ndërhyrë në ndihmesë të tyre, gjë e kjo e cila linte ndikim të madh tek nxënësit dhe që u ndje shumë pas vdekjes së tij.
Vdekja e tij:
Në fund të jetës ai u sprovua me një sëmundje të rëndë e cila e mbajti në shtrat për rreth një vit, megjithatë ai ishte durimtar. Në mëngjesin e ditës së mërkurë të datës 26 Shaban të vitit 1416 h, ai e dorëzoi shpirtin e tij tek Krijuesi. Iu fal namazi i xhenazes pas namazit të drekës me praninë e një numri të madh dijetarësh, gjykatësish dhe nxënësish diturie, etj dhe u varros në varrezën Bekie të Medines. Me vdekjen e tij u krijua një boshllëk në rradhët e dijetarëve. E lusim Allahun që ta mëshirojë shejhun dhe ta zëvendësojë boshllëkun e lënë prej tij, me dijetarë të tjerë pasues.

Marrë nga botimet e shtëpisë botuese el Furkan

Përktheu: Shuajb Rexha

Lini një koment