Uthman bin el Afan (23 H – 35 H)

Nga - May 30, 2009

Ai është Uthman bin Afan bin Ebil As bin Umeje bin Abdi Menaf bin Kusaje bin Kilab el Kurashij el Emeuij, halifeja i tretë i drejtë, i cili quhet ndryshe edhe Ebu Amr apo me pseudonimin e tij “Dhun-nurejni” (poseduesi i dy dritave). E mori këtë emër pasi ishte martuar me dy vajzat e Profetit (sal-lallahu alejhi ue selem), në fillim u martua me Rukajen e cila vdiq pas luftës së Bedrit, pastaj u martua me Umu Kulthumin e cila vdiq gjatë jetës së Profetit (sal-lallahu alejhi ue selem).

Islami i tij

Uthmani (radiallahu anhu) e pranoi islamin në moshën 34 vjeçare. Ai është një prej dhjetë të parëve që pranuan islamin dhe një prej dhjetë të përgëzuarve me xhenet. Islami i tij ishte si fryt i thirrjes që i bëri Ebu Bekri, i cili në fillim u bënte thirrje fshehurazi atyre tek të cilët kishte besim. Ata të cilët pranuan islamin nga kjo thirrje e fshehtë: Zubejr bin Auam, Uthman bin Afan, Talha bin Ubejdullah, Sad bin ebi Uekas, AbduRrahman bin Auf, të cilët shkuan së bashku me Ebu Bekrin tek Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) dhe dëgjuan prej tij pjesë nga Kurani, u njohën me të vërtetën e islamit dhe që nga ajo ditë ishin ndër besimtarët e parë muslimanë.

Disa hadithe rreth vlerës dhe cilësive të tij

Uthmani (radiallahu anhu) ishte njeri me natyrë të butë, shumë bujar dhe nuk kishte njeri më të turpshëm se ai saqë edhe Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) turpërohej prej tij.

1. Nga Ibn Umeri (radiallahu anhu) i cili thotë: Në kohën e Profetit nuk krahasonim askënd me Ebu Bekrin, pastaj me Umerin, pastaj me Uthmanin, pastaj linim shokët e Profetit (sal-lallahu alejhi ue selem) dhe nuk bënim dallim mes tyre[1] “.

2. Nga Enesi (radiallahu anhu) se Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) u ngjit në Uhud sëbashku me Ebu Bekrin Umerin dhe Uthmanin. Ku papritmas Uhudi u dridh. Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) tha: “Qëndro o Uhud se mbi vete ke një Profet, një të sinqertë dhe dy shehida[2] “.

3. Nga AbduRrahman bin Aufi tha: Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) tha: “Ebu Bekri është në xhenet, Umeri është në xhenet, Uthmani është në xhenet,[3]…”

4. Nga Enesi (radiallahu anhu) se Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë: “…njeriu më i turpshëm i umetit është Uthmani[4]…”

5. Nga Aishja (radiallahu anha) e cila thotë: Ishte Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) i shtrirë në  shtëpinë time dhe kishte zbuluar kërcinjtë e këmbës apo kofshët e tij. Erdhi Ebu Bekri dhe kërkoi për të hyrë. I dha leje dhe qëndroi në atë gjendje që ishte. Filluan bisedën dhe pas pak erdhi Umeri i cili kërkoi leje për të hyrë. I dha leje dhe qëndroi në të njëjtën gjendje. Vazhduan bisedën dhe pas pak erdhi Uthmani, i cili kërkoi leje për të hyrë. Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) u ngrit ulur, i drejtoi rrobat e tij, pastaj i dha leje për të hyrë. Pasi mbaruan bisedën dhe dolën, Aishja e pyeti Profetin (sal-lallahu alejhi ue selem) duke i thënë: Hyri Ebu Bekri dhe ti nuk lëvize dhe as nuk i dhe rëndësi(ndryshimit të qëndrimit), pastaj hyri Umeri dhe ti nuk lëvize dhe as nuk i dhe rëndësi, kur hyri Uthmani u ngrite ulur dhe drejtove rrobat e tua! Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) tha: “E si të mos kem turp nga një person prej të cilit kanë turp engjëjt[5] “.

6. Nga Kab bin Uxhrah i cili ka thënë: Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) na përmendi një fitne që do ndodhte së afërmi. Aty pranë nesh kaloi një burrë me kokën të mbuluar, Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) tha: “Ky njeri në atë kohë do të jetë në të drejtën” e kapa këtë person dhe ia zbulova kokën, ai ishte Uthmani. U drejtova nga Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) dhe thashë: A ky është? Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) tha: “Po, ai është[6] “.

7. Nga Aishja e cila tha: Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) tha: “O Uthman nqs Allahu ta ngarkon përsipër këtë çështje (halifatin) dhe do duan munafikët të ta heqin këtë këmishë të cilën Allahu (xheleshanuhu) ta veshi, por ti mos e hiq derisa të takohesh me mua(e përsëriti këtë tre herë)[7] “.

8. Nga Ibnu Umeri i cili tha: Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) na përmendi një fitne dhe tha: “Do të vritet ky person në këtë fitne padrejtësisht” e kishte fjalën për Uthmanin[8] “.

9. Nga Aishja (radiallahu anha) e cila tha: Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) në sëmundjen e tij tha: “Do doja të kisha pranë ndonjë prej shokëve të mi”. Thamë: O i dërguari i Allahut. A ta thërrasim Ebu Bekrin? Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) heshti. Thamë: A ta thërrasim Umerin? Përsëri heshti. Thamë: A ta thërrasim Uthmanin? Tha: “Po”. Uthmani erdhi, u veçua me të Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) dhe filloi të bisedonte. Gjatë bisedës ndërroi fytyra e Uthmanit. Tregon shërbëtori i Uthmanit se ai ditën në të cilën u vra ka thënë: Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) ka marrë prej meje një zotim dhe unë do t’i përmbahem atij zotimi, do të duroj[9] “.

10. Uthmani (radiallahu anhu) ishte prej shembujve më të rrallë që mund të gjejmë për sa i përket sakrificës dhe dhënies sadaka në rrugë të Allahut. Transmeton Tirimidhiu nga Abdu Rrahman bin Semurah i cili tha: Erdhi Uthmani tek Profeti (salallahu alejhi ue selem) me njëmijë dinarë të cilat i hodhi në prehrin e Profetit (salallahu alejhi ue selem) për të përgatitur ushtrinë e vështirësisë. Thotë AbduRrahmani: E pashë Profetin (salallahu alejhi ue selem) duke i rrotulluar ato dinarë në prehrin e tij dhe duke thënë: “Le të bëjë çfarë të dojë Uthmani pas kësaj dite” e përsëriti dy here [10] “.

Uthmani ishte ai që hapi pusin e Rumes dhe e bëri sadaka për muslimanët pasiqë dëgjoi fjalën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) “Kush e hap pusin e Rumes atij i takon xheneti” [Buhari].

Në një prej viteve, të gjithë puset u thanë përveç një pusi që e posedonte një çifut dhe ishte Uthmani ai që e bleu këtë pus me një çmim shumë të shtrenjtë dhe e bëri sadaka për muslimanët siç e fali pusin e Rumes.

Marrja e halifatit në dorëzim dhe besatimi i sahabëve

Kur u ther Umeri (radiallahu anhu) disa muslimanë kërkuan prej tij që të zgjidhte një person të përshtatshëm për të marrë përsipër drejtimin e halifatit. Umeri (radiallahu anhu) tha: Unë nuk shoh më të meritueshëm për këtë çështje sesa këta persona ndaj të cilëve ishte i kënaqur Profeti (salallahu alejhi ue selem) kur vdiq, dhe përmendi Aliun, Uthmanin, Abdurrahman bin Aufin, Sad bin Ebi Uekasin, Zubejr bin Auamin dhe Talha bin Ubejdullahin. Umeri (ra diallahu anhu) kërkoi prej tyre që të mblidheshin pas vdekjes së tij dhe të zgjidhnin njërin prej tyre si halife. Umeri tha: E porosis atë që do jetë halife pas meje të sillet mirë me muhaxhirët e parë,tua njohë atyre vlerat që u takojnë,t’i respektojë ata. Po ashtu e porosis të nderojë ensarët, ata që përgatitën vendbanimin e emigrimit, të pranohet e mira nga bamirësi prej tyre dhe të falet gabimi i gabimtarit. Po ashtu e porosis të sillet mirë me muslimanët nëpër kufinj sepse ata janë mburoja e  islamit, mbledhësit e pasurive dhe mllefi i armiqve, mos tu merret atyre përveç se tepricës me miratimin e tyre. E porosis të sillet mirë me beduinët arabë sepse ata janë origjina e arabëve dhe baza e islamit. Tu merret pasuria (zekati) të pasurve të tyre dhe tu jepet të varfërve të tyre. E porosis të ruajë besën e Allahut dhe të Dërguarit dhe ta përmbushë atë[11]. Pasi vdiq dhe u varros Umeri (radiallahu anhu) u mblodhën këta gjashtë persona dhe filluan diskutimet, Abdurrahmani tha: Le tia caktojmë këtë çështje secili njërit prej ju të treve. Zubejri tha: Unë heq dorë dhe them tia caktojmë Aliut. Talha tha: Unë heq dorë dhe them t’ia caktojmë Uthmanit. Sadi tha: Unë heq dorë dhe them t’ia caktojmë Abdurrahman bin Aufit. Abdurrahmani tha:Kush prej jush tërhiqet dhe t’ia caktojmë tjetrit këtë përgjegjësi. Të dy heshtën. Abdurrahmani tha: A ma lini mua në dorë që të zgjedh më të mirin prej jush me ndihmën e Allahut? Të dy thanë : Po. Ai e mori secilin veçmas dhe i tha:Ti ke afërsi me Profetin dhe pozitë në islam që edhe ti vetë e di, të kërkoj në emër të Allahut që nëse të zgjedh ty të mbash drejtësi, por nëse zgjedh tjetrin do bindesh dhe do e dëgjosh. Pasi  që Abdurrahman bin Aufi u konsultua me Uthmanin dhe Aliun, dhe pasi që mori premtimin e tyre që të binin dakord me zgjedhjen që ai do  bënte , tha: Ngrije dorën o Uthman. Aty Abdurrahmani ishte i pari që ia dha besën, Aliu dhe pastaj të tjerët me rradhë[12] duke rënë të gjithë dakort se me të vërtetë Uthmani e meritonte të jetë halifeja i tretë i muslimanëve[13].

Punët më të rëndësishme që ndërmori Uthmani (radiallahu anhu)

Tubimi i Kuranit sipas leximit kurejshit

Me përhapjen e islamit dhe zgjerimin e tokave të çliruara, u futën në islam popuj të shumtë dhe të ndryshëm jo arabë. Kjo gjë bëri që të frikësohen disa sahabë se mund të ndodhnin mosmarrëveshje në leximin e Kuranit, apo mund të ndodhte ndryshim i ndonjë pjese prej tij. Kjo gjë u vu re për herë të parë nga Hudhejfeh bin el Jeman në çlirimin e Armenisë dhe Azerbaxhanit, ku ushtria përbëhej nga banorët e Shamit të cilët kishin leximin e tyre sipas Mikdad bin el Esued dhe Ebu Derdasë dhe nga banorët e Irakut të cilët kishin lexim tjetër sipas Ebu Musa el Esharij dhe Ibnu Mesudit. Ky ndryshim në lexim çoi në lindjen e mosmarrëveshjeve të ashpra me dy palëve të ushtrisë, ku secili mendonte për grupin tjetër se është në gabim. Duke parë këtë Hudhejfeja shkoi tek Uthmani dhe i propozoi që ta shuante këtë keqkuptim mes atyre që nuk e dinin se lejohet të lexohet Kur’ani sipas shtatë dialekteve[14] (gjuhëve) të arabëve. Uthmani (radiallahu anhu) mblodhi sahabët dhe pasiqë u konsultua me ta arriti në përfundimin se ishte më mirë të shkruhej Kur’ani sipas një dialekti të vetëm dhe të gjithë njerëzit kudo që ndodheshin të ecnin sipas këtij leximi, ashtu që të zhdukej mosmarrëveshja mes muslimanëve në leximin e Kur’anit. Kur’ani i cili u grumbullua në kohën e Ebu Bekrit gjendej tek Hafsa, vajza e Umerit (radiallahu anhu) prej të cilës kërkoi që tia sillte  këtë Kur’an. Pasi që mori atë, urdhëroi Zejd bin Thabitin,Abdullah bin Zubejrin, Seid bin el Asin dhe Abdurrahman bin Harith bin Hishamin, që të shkruanin Kur’anin duke u bazuar në Kur’anin e Hafses dhe u tha:Nëse keni mospajtim rreth ndonjë ajeti, shkruajeni sipas dialektit kurejsh sepse sipas asaj gjuhe është zbritur. Pastaj urdhëroi që të shumëfishohej ky Kur’an dhe të shpërndahej në të gjitha vendet, që më pas të kopjohej prej tyre, kështu që dërgoi një në Sham, një në Egjipt, një në Basra, një në Kufe, një në Mekë dhe një e mbajti në Medine. Gjithashtu urdhëroi që çdo Kuran i ndryshëm nga ky të digjej që të mos ngelte më vend për keqkuptim[15]. Transmeton Ebu Bekr bin Ebi Daud es-Sixhistanij[16] nga Suejd bin Gafleh se ai tha: Më ka thënë mua Aliu në kohën kur Uthmani dogji mus-hafet dhe i bashkoi njerëzit në një të vetëm: Nëse nuk do e bënte ai, do e bëja unë pas tij.

Themelimi për herë të parë i flotës muslimane

Valiu (përgjegjësi) i Shamit, Muavije bin Ebi Sufjan kërkoi leje nga Uthmani (radiallahu anhi) për të formuar një flotë detare e cila do shërbente për zmbrapsjen e sulmeve të flotës bizante në brigjet e Shamit dhe të Egjiptit. Pasi mori lejen e halifes, Muavija ngriti një flotë të fortë dhe të përgatitur mirë, e cila bëri të mundur çlirimin e ishujve të Qipros dhe Rodosit, të cilët iu nënshtruan xhizjes. Pas kësaj në vitin 34 H flota muslimane u përball me flotën bizante, e cila ishte më e madhe në numër dhe më e përgatitur. Kjo betejë u zhvillua në afërsi të Aleksandrisë dhe përfundoi me fitoren e muslimanëve[17] duke u bërë kështu forcë dominuese edhe në det. Profeti (sal-lallahi alejhi ue selem) ka thënë “Ushtria e parë që do të luftojnë në det e meritojnë (xhenetin)”.

çlirimet në kohën e halifes Uthman bin Afan (radiallahu anhu)

a) Çirimi i tokave perëndimore dhe Sudanit. Përparuan ushtritë muslimane në kohën e Uthmanit deri në Sudan dhe jug të Egjiptit duke i çliruar këto toka dhe duke e zgjeruar shtetin islam. Vazhduan çlirimet muslimane duke përfshirë të gjitha tokat perëndimore (Libi, Algjeri, Marok, Mauritani) derisa mbërritën në brigjet e Tunizisë ku u ndeshën me forcat bizante duke i shkatërruar ato dhe duke i futur këto zona nën sundimin e halifatit islam[18].

Çlirimi i tokave perse

b) U zgjeruan kufinjtë e shtetit islam, në kohën e Uthmanit (radiallahu anhu) derisa arritën tek deti Kazuin dhe vazhduan ta përzënë mbretin pers Jezduxhurd, derisa e vranë në atdheun e tij Marvu (Irani i sotëm, në kufi me Afganistanit). Me vdekjen e mbretit pers pushoi së ekzistuari njëherë e përgjithmonë perandoria perse.

Shehidllëku i Uthmanit (radiallahu anhu)

Uthmani (radiallahu anhu) posedonte vlera fisnike dhe morale të larta, ishte i butë, i mëshirshëm, bujar, i dashur etj. Mirëpo këto cilësi nuk i penduan munafikët dhe armiqtë e fesë islame që të thurnin plane dhe komplote për vrasjen e halifes. Në krye të tyre ishte Abdullah bin Sebe, një çifut, armik i betuar i muslimanëve, i cili pranoi islamin sa për sy e faqe në kohën e Uthmanit (radiallahu anhu). Ky munafik çifut filloi të sillej nëpër tokat muslimane duke përhapur shpifjet e tij gjoja se Uthmani (radiallahu anhu) po bënte padrejtësi, po i shtypte muslimanët, shtirej sikur gjendja ishte tepër e rënduar dhe se Aliu (radiallahu anhu) ishte ai që e meritonte halifatin në vend të Uthmanit (radiallahu anhu). Shpifjet e këtij munafiku zunë vend në Kufe, Basra dhe Egjipt të cilët dërguan nga një delegacion në Medine për tu marrë vesh me Uthmanin (radiallahu anhu). Këto delegacione të cilat kryesoheshin nga Abdullah bin Sebe u takuan me Uthmanin dhe Aliun (radiallahu anhu).Ata u sqaruan atyre se çdo gjë ishte në rregull dhe se këto ishin  shpifje dhe u premtuan atyre se do ndreqnin çdo parregullsi. Pasi mbaruan misionin e tyre, delegacionet dolën nga Medineja për tu kthyer në vendet e tyre. Abdullah bin Sebe kur e pa këtë situatë trilloi një letër të cilën pretendonte se e dërgonte Uthmani (radiallahu anhu) tek valiu i Egjiptit dhe e urdhëronte që të vriste delegacionin që po kthehej. Abdullah bin Sebe e dërgoi këtë letër me një korrier i cili u sillej para e mbrapa delegacionit egjiptian të cilët u shqetësuan dhe e kapën këtë person duke i zbuluar letrën e fshehur. Pas kësaj ata u kthyen përsëri në Medine duke lajmëruar edhe delegacionet e tjera që të ktheheshin dhe rrethuan shtëpinë e Uthmanit duke mos e lejuar që të dalë jashtë. Megjithëse Uthmani (radiallahu anhu) u mundua tu shpjegonte të vërtetën dhe t’i bindte se ajo letër nuk është e vërtetë duke kërkuar verifikimin e saj, mirëpo ato nuk pranonin asnjë lloj sqarimi dhe u mjaftuan me thënien: Allahu e ka lejuar gjakun tënd për këtë veprim. Ata e rrethuan dhe Uthmani (radiallahu anhu) qëndroi i rrethuar në shtëpinë e tij dyzet ditë. Në fillim e lejonin që të dilte vetëm për namaze, pastaj ia ndaluan edhe namazet përveç xhumasë ku mbante dhe hutben. Kur vendosën ta pengonin edhe për namazin e xhumasë filluan ta gjuanin në hutbe me gurë të vegjël duke i thënë: Zbrit, zbrit o plak, aty i morën shkopin e Profetit që përdorte në hutbe dhe  e thyen. Pas kësaj ia ndërprenë edhe ujin që i vinte në shtëpi. Kur e pa këtë gjendje, Uthmani (radiallahu anhu) kërkoi një takim me drejtuesit e revoltës ku u tha atyre: Po ju pyes në emër të Allahut dhe të islamit, a e dini se kur Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) erdhi në Medine nuk kishte ujë të pijshëm përveçse pusit të Rumes për të cilin Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) tha: “Kush e blen pusin e Rumes dhe e bashkon kovën e tij me kovat e muslimanëve (e bën sadaka ujin e pusit) Allahu do tia zëvendësojë me një pus më të mirë në xhenet” dhe unë e bleva atë ndërsa ju sot më ndaloni mua që të pi prej tij[19] dhe më lini të pi ujë të kripur? Ata thanë: Po, ashtu është. Uthmani (radiallahu anhu) tha: Po ju pyes në emër të Allahut dhe islamit, a e dini se kur xhamia nuk mjaftonte më për njerëzit dhe Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) tha: “Kush e blen tokën e filanit që tia shtojë xhamisë dhe Allahu (xheleshanuhu) do t’ia zëvendësojë me më të mirë në xhenet”. Unë e bleva atë me pasurinë time kurse ju sot më ndaloni që të falem në të, qoftë dhe dy rekate? Ata thanë: Po, ashtu është. Uthmani (radiallahu anhu) tha përsëri: “Po ju pyes në emër të Allahu dhe islamit, a e dini se unë jam ai që përgatita ushtrinë e vështirësisë, për të cilën Profeti tha: “Kush i përgatit ata, Allahu do ia falë atij mëkatet”? Ata thanë: Po, ashtu është[20]. Tha: “Po ju pyes në emër të Allahut dhe  islamit, a e dini se Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) ishte mbi mal sëbashku me Ebu Bekrin, Umerin dhe mua, kur u trondit mali, të cilin e goditi me këmbë dhe i tha: “Qëndro se ke mbi vete një Profet, një të sinqertë dhe dy shehida”, ata thanë: Po, ashtu është. Atëherë Uthmani (radiallahu anhu) tha: Allahu Ekber, pasha Zotin e Kabes dëshmoni për mua se unë jam shehid(tre herë)[21]. Sahabët ishin të mbledhur rreth Uthmanit (radiallahu anhu) të gatshëm për ta mbrojtur[22] dhe luftuar, mirëpo ai e dinte se sido që të shkonin punët do vritej padrejtësisht pasi kështu e kishte lajmëruar Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem) prandaj nuk donte që te vritej askush për të dhe i urdhëroi të gjithë sahabët që të shpërndaheshin nëpër shtëpitë e tyre[23]. Një natë para se të vritej kishte vendosur të agjëronte të nesërmen. Aty nga fundi i natës pa në ëndërr Profetin (sal-lallahu alejhi ue selem) duke i thënë: A të kanë rrethuar o Uthman? A të kanë ndaluar ujin o Uthman? Nëse ti dëshiron mund të fitosh ndaj tyre ose të çelësh iftar këtu tek ne, dhe i dha një enë me ujë. Më pas kur u zgjua, bashkëshortja e tij iu afrua dhe i solli ujë që të pinte, por ai tha unë jam agjërueshm dhe se Profeti i kishte ofruar ujë për iftar[24]. Mëngjesin e asaj dite u futën munafikët në shtëpinë e Uthmanit ndërkohë që ai po lexonte Kur’an. Iu afrua një burrë egjiptian që quhej Xhebleh nga fisi Benu Sedus i cili i gjuajti me shpatë, mirëpo Uthmani u mbrojt me njërën dorë të cilën ia këputi goditja e shpatës, rrodhi gjaku mbi ajetin Kuranor: “Allahu të mjafton ty ndaj tyre”(Bekare 137)[25], atëherë mus’hafi i ra nga dora dhe tha: Uallahi kjo është dora e parë e cila i ka shkruar suret e pjesës së shtatë të Kur’anit[26], sepse siç dihet Uthmani ka qenë prej shkruesve të shpalljes, biles i pari që ka shkruajtur drejtpërdrejt nga Profeti (sal-lallahu alejhi ue selem). Erdhi gruaja e tij që ta mbronte nga një goditje tjetër, e cila i këputi asaj gishtat e dorës,e mori Kuranin dhe e vendosi në prehërin e saj dhe pas kësaj erdhi goditja vdekjeprurëse e cila e vrau Uthmanin (radiallahu anhu),atëherë e shoqja e tij u hodh mbi të.Dikush prej tyre tha:Allahu e vraftë këtë grua, sa të mëdha i ka të pasmet e saj.Ajo tha:Aty u binda se këta e bënë gjithë këtë vetëm për interes dunjaje[27]. Kjo ndodhi ditën e xhuma në 18 Dhulhixhe të vitit 35 H duke zgjatur kështu halifati i tij 12 vjet, në moshën 82 vjeçare[28]. Allahu e mëshiroftë prijësin e muslimanëve i cili u vra padrejtësisht dhe qoftë i kënaqur me të deri në ditën që do ta takojë.

Përktheu dhe përshtati: Shuajb Rexha

Burimet e lëndës:

1)      Sahihul Buhari

2)      Sahihu Muslim

3)      Musnedi i imam Ahmedit

4)      Suneni i Tirmidhiut

5)      Suneni i Ibn Maxhes

6)      Fedailu es-sahabeh te imam Ahmedit

7)      Silsiletu el ehadithi es-sahihah te Albanit

8)      El Bidajetu uen-nihajeh te Ibn Kethirit

9)      Es-Siratu en-nebeuijeh te Ibn Kethirit

10)   Sherhu usulul itikad te el-Lalekaij

11)   Et-Tarihul islamij te Mahmud Shakirit

12)   Asrul hilafeti er-rashideh te Ekrem Dija Umerij

13)   El Hulefa er-rashidun te Eminul Kudah

14)   Es-Siratu en-nebeuijeh ue tarihul hulefai er-rashidin te Abdullah Salih el Uthejmin

15)   Mearixhul Kabul te Hafidh el Hakemij

16)   Nubdhetun muhteserah fi tarihul hulefa er-rashidin te Sad bin Abdullah el Gamedij.


[1] Transmeton Buhariu nr 3697.

[2] Transmeton Buhariu nr 3699.

[3] Transmeton  Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 842 dhe Ibn Maxheh nr 133 dhe e saktesoi Albani

[4] Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 803 dhe Ibn Maxheh nr 154 dhe e saktesoi Albani.

[5] Transmeton Muslimi nr 2401 dhe Fet-hul Barij 7/70.

[6] Transmeton Tirmidhiu nr 3704 dhe e saktesoi ate. Te njejtin gjykim ka dhe Albani.

[7] Transmeton Ahmedi 6/75, Tirmidhiu nr 3705 i cili tha:Hasen, ndersa Albani e konsideroi te sakte.

[8] Transmeton Ahmedi 2/115, Tirmidhiu 3708 dhe tha:Hasen.Te njejtin gjykim ka dhe Albani.

[9] Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 804 dhe Ibn Maxheh nr 113 dhe e saktesoi Albani.

[10] Transmeton Ahmedi 5/63 me zinxhir te sakte, Tirmidhiu nr 3701 dhe e konsideroi hadith hasen.Te njejtin gjykim ka dhe Albani.

[11] Fet-hul Barij 7/78 hadithi nr 3700.

[12] Fet-hul Barij 7/79  hadithi nr 3700.

[13] Transmeton el-Lalekai ne Sherhu usulil itikad nr 2553 se Abdurrahman bin Aufi ka thene:Jam konsultuar me te gjithe ne lidhje me zgjedhjen e halifes dhe te gjithe thonin:Uthmani .eshte me i mire se Aliu. Ne nje transmetim tjeter te tij,nr 2552 Abdurrahmani ka thene:Uallahi nuk ia kam dhene besen Uthmanit pa u konsultuar me pare edhe me femijet që mësonin Kuranin, të cilët thonin: Uthmani është më i mirë se Aliu.

[14] Keto dialekte jane: 1)Dialekti i fisit Kurejsh. 2)Dialekti i Jemenit. 3)Dialekti i fisit Hudhejl. 4)Dialekti i fisit Temim. 5)Dialekti i fisit Heuazin. 6)Dialekti i fisit Kinaneh. 7)Dialekti i fisit Thekif.

[15] Transmeton Buhariu nr 4987.

[16] Ne el Mesahif fq 19 dhe Sujutij e Musned Alij nr 295.

[17] Marre nga libri Tarihul islam ue uefejatul meshahir uel ealam ahdel hulefai rashidin, fq 420 te imam Dhehebiut.

[18] Marre nga libri Tarihul islam ue uefejatul meshahir uel ealam ahdel hulefai rashidin, fq 318 te imam Dhehebiut.

[19] Transmeton Ahmedi 1/75, Tirmidhiu nr 3703 dhe Nesai 6/235.

[20] Transmeton Ahmedi 1/70, Nesai 6/46, Ibn Ebi Asim nr 1303.

[21] Transmeton Tirmidhiu nr 3703 dhe tha:Hasen.Te njejtin gjykim ka dhe Albani.

[22] Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 763 nga Ibn Auni nga Nafiu i cili tha:Ibn Umeri e ka veshur dy here kemishen e hekurt(eshte pergatitur per lufte) diten e vrasjes se Uthmanit.

[23] Transmeton el-Lalekai ne Sherhu usulil itikad (7/ 1430) nr 2568 nga Ebu Habibeh se ai ka thene:Me dergoi Zubejri tek Uthmani kur ai ishte i rrethuar.Shkova ne nje dite te nxehte vere.E gjeta te ulur ne karrike dhe prane tij qendronin Husejn bin Alij, Ebu Hurejra,Abdullah bin Umeri, Abdullah bin Zubejri. I thashe: Me ka derguar tek ti Zubejr bin Auam, i cili te dergon selamet e tij dhe thote:Une jam akoma nen urdhrat e tua dhe nuk ka ndryshuar asgje tek une, nuk e kam thyer besen e dhene.Nese deshiron vij tek ty ne shtepi dhe jam perkrah teje.Fisi Beni Amr bin Auf me kane premtuar se jane te gatshem te mblidhen tek une dhe te veprojne si t’i urdheroj.Uthmani kur e degjoi mesazhin tha:Allahu ekber, falenderimi i takon Allahut qe e ka ruajtur vellaun tim nga kjo.Ktheja selamin prej meje dhe thuaji se nese do jesh ketu, do jesh nje nga te vraret ndaj qendrimi yt atje ku je eshte me i dashur per mua, shpresoj qe me ty Allahu te mbroje nderin tim pas vdekjes time.Me pas Uthmani tha:Une kerkoj vendosmerisht nga cdokush qe me bindet mua qe te mos luftoje per mua.

[24] Te ngjashem me kete tekst e transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 810 dhe el-Lalekai ne Sherhu usulil itikad nr 2577,Hakimi 3/103 i cili tha: Isnadi eshte i sakte dhe ia miratoi Dhehebiu.

[25] Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 766.

[26] Nga sureja Kaf deri ne fund.

[27] Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 765.

[28] el Isabeh 4/224 te Ibn Haxherit dhe Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 778.