Biografia e Shejh Abduselam bin Abdulkerim Berxhes
Bashkësia e Ehlu Sunetit u trondit nga lajmi i vdekjes së shejhut të nderuar Abduselam bin Abdul Kerim bin Berxhes Ali Abdil Kerim, i cili ndërroi jetë natën e së shtunës dt 13/2/1425 h, si pasojë e një aksidenti tragjik të ndodhur në rrugën lidhëse ndërmjet qytetit el Ahsa dhe Rijadit
Shejhu ishte i mirënjohur në rrethin e diturisë dhe tek dijetarët e këtij vendi të bekuar, gjë të cilën e vërtetoi fakti i pjesëmarrjes së një numri të madh dijetarësh dhe shujuhësh në faljen e namazit të xhenazes së tij.
Kam dëgjuar disa nga shujuhët dhe njerëzit e nderuar që thoni: Dituria e tij ishte tejet e madhe në krahasim me moshën që kishte. Ndërsa dikush tha: Nëse do të jetonte më gjatë do kishte qenë fenomenal.
Kam parë që shumë nga dijetarët dhe nxënësit e dijes u pikëlluan shumë me vdekjen e tij, sepse ai ishte një nga mbrojtësit e Sunetit me mish, me shpirt dhe me laps.
Allahu më ka nderuar mua, duke më mundësuar që të jem pranë shejhut, pavarësisht se për një kohë relativisht të shkurtër në krahasim me njerëzit e ngushtë rreth tij, por megjithatë gjatë asaj kohe, sa herë që dëgjoja diçka në lidhje me biografinë dhe historitë e tij e shkruaja, derisa mblodha disa gjëra. Sa herë që më jepej mundësia të takohesha me të ia kujtoja ato të dhëna (për t`i pohuar nga vetë shejhu), ai më thoshte:Unë nuk e meritoj që të shkruhet biografi për mua. Por unë sot e shoh si obligimin më minimal kundrejt tij që këtë biografi ta publikoj, duke pranuar që në të ka mangësi.
Them: Ai është shejhu: Abduselam bin Abdulkerim bin Berxhes bin Nasir Ali Abdulkerim
Familja Ali Abdulkerim, është një nga familjet e njohura në zonën e el Mexhmeah, që rrjedh nga fisi Beni Sa`d nga Beni Temim.Ka lindur në Rijad në vitin 1387 h, siç tregohet në dokumentet personale identifikuese. U rrit nën përkujdesin prindëror në një familje të mirë fetare. Që në fëmijërinë e tij tek shejhu u shfaqën shenjat e zgjuarsisë, këmbënguljes dhe zellit. Ai e mësoi Kuranin përmendësh dhe filloi rrugën e diturisë që kur ishte 13 vjeç. Mësuesit e tij vunë re tek ai shenjat e pjekurisë dhe mprehtësisë ndaj i kushtuan vëmendje dhe përkujdesje të veçantë.
Shejhu mësoi tek një numër i madh dijetarësh të këtij vendi, prej tyre përmendim:
1)Imami el Alameh Abdulaziz bin Baz (vdiq 1420h), pranë të cilit qëndroi njëfarë kohe në shpjegimin e një sërë librash, por veçanërisht në shpjegimin e librit Bulugul meram të Ibn Haxherit dhe Tefsirit të Ibn Kethirit.
2)Shejhu fakih dhe usulij Muhamed bin Salih el Uthejmin (vdiq 1421). Tek ai mësoi gjatë viteve 1402-1403 gjatë periudhës së pushimeve zyrtare dhe gjatë mësimeve që shejhu jepte në Mek-keh, si dhe në kohë të tjera. Për njëfarë periudhe kohe jetonte së bashku me shejhun.Tek ai lexoi dhe mësoi librin e Teuhidit, Akiden Uasitije, Zadul Mustekni: fushën e adhurimeve, Axhrumijen, Muhtesar kauaid Ibn Rexheb, gjysmën e Sahihut të Buhariut.
Shejh Ibn Uthejmini e vlerësonte dhe kishte konsideratë të mirë për të, gjë të cilën unë e kam parë me sytë e mi.
3)Shejhu Abdullah bin Xhibrin, tek i cili ka qëndruar katër vjet duke studiuar. Tek ai lexoi dhe mësoi librin e Teuhidit të Ibn Huzejmes, Nunijen e Ibnul Kajimit nga e cila mësoi përmendësh rreth njëmijë vargje,Zadul mustekni së bashku me er-Raudul murbi`, Mearixhul Kabul të hafidh el Hakemij.
Shejhu përfitoi shumë nga shejh Ibn Xhibrini
4)Shejhu Muhadithi Abdullah Duejsh (vdiq 1409 h), tek i cili ka mësuar gjatë periudhave të pushimeve zyrtare, në qytetin e Burejdes, librin el Elfijeh të el Irakij dhe një pjesë nga Suneni i Ebi Daudit.
5)Shejhu Salih el Etram, tek i cili ka mësuar në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin Muhamed bin Su`ud, si dhe në mësimet e tij që kishte në xhami.
6)Shejh Fehd el Hamin tek i cili ka mësuar në fikh dhe teuhid.
7)Shejh Abdullah bin Ku`ud tek i cili ka mësuar librin Fet-hul mexhid.
8)Shejhu fakih dhe usulij Abdullah el Gudejan, tek i cili ka mësuar në Institutin e Lartë të Gjykatës.
9)Shejhu Salih el Belihi (vdiq 1410 h), tek i cli mësoi nga libri Zadul mustekni.
10) Shejhu Abdulkerim el kHudejr, tek i cili mësoi nga libri Nejlul Eutar të Sheukanit dhe Elfijen të el Irakij.
11) Shejhu Abdulmuhsin el Munif, i mirënjohur në lëndën e trashëgimisë, tek i cili mësoi librin er-Rahabijeh në vitin 1405 h.
Këta ishin vetëm disa nga shujuhët tek të cilat ka mësuar, sidomos në mënyrën tradicionale të kërkimit të diturisë.
Ndërsa formimi i tij akademik, filloi me shkollën fillore që e kreu në qytetin e Rijadit, më pas në Instituin e diturisë që është në varësi të universitetit Muhamed bin Su`ud, më pas në Fakultetin e Sheriatit, në po këtë universitet, ku i përfundoi studimet në vitin 1410 h. Më pas u caktua mësues në qytezën Kuaj`iah (170 km larg Rijadit).Më pas filloi studimet pasuniversitare në Institutin e Lartë të Gjykatës, nga ku doli me titullin magjistër.Pas kësaj ai u caktua gjykatës pranë ministrisë së drejtësisë, por pas njëfarë kohe dha dorëheqjen. E caktuan në organin e ankimimit në qytetin e Xhid-des, por as aty nuk pranoi të qëndronte duke dëshiruar që të jetë larg ngarkimit me përgjegjësi për gjykimin mes njerëzve. U rikthye në Rijad si ligjërues në Intitutin e Lartë të Gjykatës, ku dhe ndërkohë kreu doktoraturën (1422 h) nën përkujdesjen e muftiut Abdulaziz Ali Shejh. Më pas punoi si profesor derisa vdiq.
Shejhu -Allahu e mëshiroftë- ishte tepër i edukuar, modest, i mirënjohur për mirësjelljen, të qënurit i shoqërueshëm, i ëmbël, i qeshur, me çdokënd. Këtë gjë e dëshmon çdokush që e ka njohur, ndaj dhe ata që u prekën nga vdekja e tij ishin të shumtë. E lusim Allahun që të na bashkojë me të në xhenetet e Tij të begata.
Shejhu ishte dhe poet i lindur, që thurte poezi tejet të bukura, të cilat i rridhnin natyrshëm pa u sforcuar, sepse poezinë e kishte dhunti. Shejhu e kishte lapsin të lehtë, ndaj me gjithë moshën e tij relativisht të re, shkroi një sërë librash të dobishëm. Më poshtë do përmend ato libra që unë di, duke theksuar se cili prej tyre është i botuar dhe cili jo.
1) El kaulu mubin fi hukmil istihzai bil muminin (Gjykimi për atë që tallet me besimtarët). I botuar
2) Ijkafun-nebil ala hukmit-temthil (Gjykimi për teatrimin). I botuar
3) Et-temen-nij (Shpresimi). I botuar
4) Auaikut-taleb (Pengesat në kërkimin e diturisë). I botuar
5) el I`lamu bi ba`di ahkamis-selam (Njohje me disa nga rregullat e selamit). I botuar.
6) el Huxhexhul kauijeh ala en-ne uesailed-daueh teukifijeh (Argumentet bindëse se metodat e davetit janë të kushtëzuara me argument). I botuar
7) Daruratul ihtimami bis-sunen (Domosdoshmëria e kushtimit të vëmendjes praktikimit të suneteve). I botuar
8) El Ebjat el Edebijeh el hasirah (Vargjet letrare përmbledhëse). I botuar
9) El Ebjat el Ilmijeh el hasirah (Vargjet akademike përmbledhëse). I botuar
10) el Mu`tekadu es-Sahih el uaxhibu ala kuli muslimin i`tikaduhu (Besimi i saktë i obligueshëm për çdo musliman që ta besojë). I botuar
11) Ibtalu nisbetid-diuan el mensub li shejhil islam (Rrëzimi i pretendimit që ia dedikon Ibn Tejmijes librin ed-Diuan). I botuar.
12) Mexhmu`u shi`ri shejhil islam (Përmbledhja e poezive të Ibn Tejmijes). I botuar.
13) Muameletul hukam fij dau`il Kitabi ues-Suneh (Si duhet të sillemi me udhëheqësit, sipas Kuranit dhe Sunetit). I botuar.
14) el Emru bi luzumi xhemeatil muslimin ue imamihim (Urdhri për bashkimin rreth xhematit të muslimanëve dhe prijësit të tyre). I botuar.
16) et-Teuthik bil ukud fil fikhil islamij (Regjistrimi i marrëveshjeve, kontratave sipas fikhut islam). I pabotuar.
17) Kat`ul mira fi hukmid-duhuli alel umera (Dhënia fund dyshimeve në lidhje me gjykimin e vizitës tek prijësit). I botuar.
18) El ehadithun-nebeuijeh fi dhem-mil unsurijeh el xhahilijeh (Hadithet profetike që përcmojnë racizmin, si ves i xhahilijetit). I botuar.
19) El hijaneh, dhem-muha ue ahkamuha (Tradhtia, qortimi i saj dhe dispozita që kanë të bëjnë me të). I bërë gati për botim.
20) Meshruijetu hibetuth-theuab (Ligjshmëria e dhurimit të sevapeve). I bërë gati për botim.
21) el Muhadaratu fid-daueti ued-duah (Ligjërata në lidhje me thirrjen në islam dhe thirrësit).Libri përmban 13 ligjërata të shejhut, të cilat unë dhe vëlla Mensur bin Mubarak Seferi, i kemi transkriptuar, ia kemi paraqitur shejhut i cili i rishikoi dhe tani janë gati për botim.
22) Sherhul muharar fil hadith (Shpjegim i librit el Muharar). Jeta e tij nuk i bëri të mundur që ta mbarojë librin, megjithëse e donte shumë dhe kishte dëshirë të flaktë që ta realizonte këtë vepër.
23)Teduinul akideti es-selefijeh, xhuhudu eimetil islam fi neshri akidetil islamijeh (Shkrimi përmbledhës i akides-selefije, përpjekjet e dijetarëve imamllarë për përhapjen e akides islame).Libri ishte konceptuar në dy vëllime, në vëllimin e parë do përfshihen shtatë shekujt e parë, ndërsa në të dytin shtatë shekujt e tjerë, por arriti të realizonte vetëm vëllimin e parë, i cili është gati për botim.
24)Kitabun fil fikh (Një libër rreth fikhut). Shejhu e përmendte shpesh që po punonte në të por nuk e di deri ku ka arritur.
25) Teraxhimu ba`dil dijetarëve (Biografitë e disa dijetarëve), por nuk e di se çfarë është bërë me të.
26) Bejanu meshruijeti ed-dua alel kafirine bil umum (Sqarimi i ligjshmërisë së lutjes kundra kafirave në mënyrë të përgjithshme). I botuar
27) Darbul mer`ah bejne hukmish-sher`i ue uaki`in-nas (Goditja e gruas, sipas gjykimit fetar dhe realitetit të njerëzve)
Shejhu mund të ketë dhe libra të tjerë që unë nuk di rreth tyre.
Gjithashtu, shejhu ka një numër të madh artikujsh të botuara në gazeta apo revista të ndryshme.Po ashtu, kishte një përkushtim të vecantë ndaj verifikimit dhe recensimit të librave të dijetarëve të davetit (Muhamed bin AbdulUehab dhe pasardhësit e tij), nga të cilat ka recensuar mbi 22 libra, si dhe përpiqej të gjente dorëshkrimet e tyre që t`i fotokopjonte apo përpiqej tia ofronte ato dikujt që donte të merrej me recensimin e tyre dhe siç më kanë treguar vetë autorët, janë mbi 30 libra që ata i kanë marrë dorëshkrimet nga biblioteka e shejhut.
Po të duam mund të mbledhim dhe më shumë nga lajmet e jetës së tij por shpresojmë që kjo të jetë për një rast tjetër. E lus Allahun që të na falë neve dhe atë dhe të na bashkojë me të në vendbanimin e paqes.
Shkruar nga Hani bin Salim el Husejni
Botuar në gazetën al Xhazirah
Përktheu: Shuajb Rexha